a little corner of the internet <3
exploring art, literature and the inner world
from my library
what I thought, what I felt, what stayed
from the notes app
thoughts, essays, and everything in between
Dea's bookshelf
the person behind the pages
Disa vite më parë bleva një kopje të Leaves of Grass nga Walt Whitman. Atëherë nuk e dija se do të bëhej një nga librat më të rëndësishëm që kam lexuar.
Kthehem te ky libër vazhdimisht, sa herë kam nevojë për ngushëllim, qetësi ose thjesht për shoqërinë e heshtur të dickaje që nuk të kundërshton. Disa nga poezitë i di përmendësh. Është një vëllim i madh, me kopertinë të fortë, ngjyrë jeshile, me shkronja të arta që e zbukurojnë. Në kopertinën e pasme shkruhet ajo që është bërë një nga thëniet e mia të preferuara:
“Kundërshtoj veten? Shumë mirë, atëherë po, e kundërshtoj veten. Unë jam i madh. Mbaj brenda meje shumësi.”
Gjithmonë kam ndier se ka shumë jetë për t’u jetuar dhe jo mjaftueshëm kohë për ta bërë këtë. Kam pasur gjithmonë një etje për jetën dhe për gjithçka që ajo mund të ofrojë. Kjo më ka bërë të jem e hapur ndaj përvojave dhe të përpiqem të mos i vendos vetes kufij apo rregulla të ngurta.
Por koha është limituese, vetë trupi është i tillë. Nuk mund të jesh gjithçka. Nuk mund të jesh kudo,e mbi të gjitha, nuk mund të përjetosh çdo gjë.
Ndoshta pikërisht për këtë arsye i kam dashur gjithmonë librat. Ata më kanë lejuar të jetoj jetë të vogla përmes imagjinatës. Më kanë zgjeruar, më kanë ndihmuar të rritem dhe të bëhem më e madhe sesa një version i vetëm i vetes sime. Ata kanë ushqyer gjithë shumësitë që mbaj brenda dhe, ndoshta më e rëndësishmja, më kanë mësuar t’i pranoj ato.
E nisa këtë blog librash për të nderuar pikërisht këtë ndjesi. Për të krijuar një hapësirë të thjeshtë dhe të sigurt, ku mund të ekzistojmë, të rritemi, të bëjmë pyetje dhe të ndryshojmë.
Shpresoj që të gjejmë njëri-tjetrin në ngjashmëritë tona. Dhe shpresoj që, herë pas here, t’i japim njëri-tjetrit shtysën për të marrë në dorë një libër të ri, për të mësuar diçka të re dhe për t’u larguar prej tij pak më të mëdhenj se sa ishim më parë.