Si lidhet libri 1984 i George Orwell me shoqërinë e sotme.
Para se të lexosh këtë artikull, do ishte më mirë të lexoje review-n që kam bërë për librin, ose akoma më mirë, vetë librin. Por nëse po përton, jam këtu për të ndihmuar.
Duke lexuar librin, pata ndjesinë se e gjithë kjo më dukej paksa e njohur. Nga historitë që më kanë treguar prindërit e mi për periudhën e komunizmit, duket sikur Shqipëria e ka jetuar tashmë një regjim shumë Orwellian. Por mbetjet e atij regjimi ende ndihen, dhe fort.
Para së gjithash, koncepti më i dukshëm: survejimi.
Ne kemi një histori të gjatë survejimi që vjen nga periudha e komunizmit. Sigurimi, informatorët, frika për të thënë diçka politikisht të rrezikshme, konformizmi ideologjik, propaganda, censura dhe dyshimi mes fqinjëve apo edhe familjarëve bëjnë që pjesë të Orwell-it të duken tmerrësisht familjare në memorien historike shqiptare.
Gjatë komunizmit, Partia vendoste edhe pajisje përgjimi brenda shtëpive të njerëzve, si të ashtuquajturat çimka. Njerëzit e dinin këtë, ose të paktën kishin aq shumë frikë prej saj, sa bëheshin pothuajse paranojakë edhe për të folur lirshëm brenda shtëpisë së tyre.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me idenë e Orwell-it për një botë ku mund të jesh vazhdimisht nën vëzhgim.
Sot mund të mos kemi më çimka nëpër shtëpi, por po rritemi nga breza që janë formuar pikërisht në një kohë të tillë.
Shqipëria moderne duket ndryshe. Njerëzit e shajnë hapur qeverinë, ekziston media opozitare, bëhen protesta, njerëzit votojnë kundër partisë në pushtet dhe politikanët kritikohen publikisht.
Por kjo mund të ketë një kosto.
Njerëzit mund të ndihen ende të monitoruar përmes sistemeve të patronazhit, ku anëtarë të Partisë marrin përsipër të identifikojnë individët "rebelë" dhe të futen në jetën e tyre. Mund të protestosh, por mund të kesh frikë se humbet punën, ose se dikush në familjen tënde e humbet të vetën. Mund të kesh frikë se dikush vjen në biznesin tënd dhe të kërcënon se do ta mbyllë.
Këto gjëra tingëllojnë çmendur kur i thua me zë të lartë, por ekzistojnë si një lloj dijeje të heshtur të rrënjosur te të gjithë. Aq thellë, sa pothuajse nuk ndalemi më as t'i vëmë në dyshim.
Një tjetër lidhje shumë shqiptare është kulti i personalitetit politik.
Big Brother nuk është thjesht një president. Orwell e ndërton me qëllim gjithë politikën rreth një fytyre, imazhi i Big Brother-it është kudo, deri në pikën ku pushteti politik lidhet emocionalisht me një individ të vetëm.
Shqipëria moderne nuk është askund pranë atij niveli. Por politika shqiptare është jashtëzakonisht e personalizuar.
Mendo sa shpesh diskutimi politik bëhet për individë dhe jo për institucione: Rama. Berisha. Veliaj. Meta.
Njerëzit flasin shpesh për politikën shqiptare sikur të ishin personazhe protagoniste që luftojnë mes tyre, në vend që të pyesin: Sa i fortë është Parlamenti? Sa të pavarura janë institucionet? Çfarë mekanizmash ekzistojnë për të ndaluar abuzimin, pavarësisht se kush qeveris?
Dhe ky ndryshim është shumë Orwellian.
Një nga paralajmërimet më të thella politike të Orwell-it nuk është thjesht: "Ekzistojnë sundues të këqij." Është: një shoqëri e shëndetshme nuk duhet të varet nga fakti nëse ka apo jo një sundues të mirë. Institucionet duhet ta pengojnë çdo sundues që të zotërojë pushtet të pakufizuar.
Një tjetër paralele e fortë është kontrolli i narrativës.
Në 1984, pushteti i Partisë mbështetet te fakti që versioni i saj i ngjarjeve dominon realitetin: ajo që ndodhi ka më pak rëndësi sesa ajo që njerëzit binden se ka ndodhur.
Shqipëria sigurisht që nuk ka një Ministri të së Vërtetës që rishkruan gazetat fjalë për fjalë, por mjedisi ynë i informacionit ka dobësi që e bëjnë idenë e Orwell-it shumë relevante.
Pavarësia e medias në Shqipëri ndikohet ende fort nga ndërthurja e interesave politike dhe të biznesit, përqendrimi i pronësisë dhe presioni ndaj gazetarëve.
Nuk ke pse ta ndalosh informacionin, nëse mund t'i mbysësh njerëzit me aq shumë versione të ndryshme të realitetit sa ata të mos dinë më kë të besojnë.
E njëjta ngjarje mund të kthehet në realitete krejt të ndryshme, në varësi të televizionit, portalit, politikanit apo komentatorit që po e përshkruan.
Njëra palë thotë se është një skandal gjigant. Tjetra thotë se është e fabrikuar. Një tjetër e ndërron fare temën. Rrjetet sociale e presin gjithçka në klipe 20-sekondëshe.
Në fund qytetari mund të arrijë në pikën ku mendon: "Po kush e di më se cila është e vërteta?"
Kjo gjendje psikologjike është shumë e rëndësishme në 1984. Lufta e Winston-it nuk është thjesht që të thotë të vërtetën. Është të ruajë bindjen se e vërteta objektive ekziston, pavarësisht nga ai që ka mikrofonin më të fortë.
Pastaj kemi idenë e Orwell-it për doublethink.
Doublethink është aftësia për të pranuar dy pretendime kontradiktore njëkohësisht, sepse besnikëria jote politike ta kërkon këtë.
Versione më të buta të kësaj mund t'i shohësh kudo në kulturën politike shqiptare.
Një politikan ose një parti mund të dënojë një sjellje kur e bën opozita dhe të justifikojë pothuajse të njëjtën sjellje kur e bën pala e vet. Mbështetësit mund ta ndryshojnë standardin moral në varësi të kujt po akuzohet.
Korrupsioni është një shembull i mirë. Diskutimi politik shpesh bëhet më pak: "A ndodhi kjo?" dhe më shumë: "Po pala tjetër çfarë bëri?"
Newspeak ndoshta është lidhja më e fshehtë, ose ajo që duket më pak direkte.
Parimi i Newspeak është që gjuha të thjeshtohet aq shumë, sa në fund njerëzit të mos kenë më fjalët e duhura për të përshkruar apo edhe për të njohur padrejtësinë që po përjetojnë.
Në 1984, kjo bëhet duke redaktuar vazhdimisht fjalorin, duke hequr fjalë dhe duke i thjeshtuar ato derisa të mbeten vetëm disa fjalë bazike.
Ky krahasim mund të jetë më ekstrem, por prapë mendoj se ka një lidhje me një shoqëri ku arsimi është zhvlerësuar aq shumë, si përmes mungesës së investimit, ashtu edhe përmes mungesës së shpresës për një të ardhme premtuese.
Në një botë ku shpesh kriminelët duken si njerëzit që përfaqësojnë suksesin dhe vjedhja pothuajse kthehet në virtyt, shumë pak njerëz motivohen të arsimohen kur besojnë se një diplomë do t'u japë vetëm një punë të nënpaguar dhe një të ardhme të pasigurt.
Kështu, disa e lënë shkollën herët dhe shpresojnë të gjejnë një rrugë tjetër. E vërteta është që shumica nuk e gjejnë.
Dhe mbeten pikërisht aty: në një disavantazh intelektual që i bën shumë më të prirur të kthehen në mjete të qeverisë, ose në vuajtës të heshtur të gabimeve të saj, duke besuar se nuk mund të ndryshojnë asgjë.
Por mbi të gjitha, lidhja më interesante dhe ndoshta më shqetësuese nuk është gjithë kjo çmenduri që kemi mësuar të tolerojmë ose ndoshta kemi trashëguar aftësinë për ta toleruar.
Pjesa më e keqe është të kesh një çizme mbi fytyrë dhe ta duash atë.
Në 1984, njerëzit ishin të shtypur, të uritur dhe të palumtur, të mbajtur në atë gjendje nga qeveria, por përsëri e donin udhëheqësin, Big Brother-in, më shumë se çdo gjë tjetër.
Në libër, njerëzit kishin frikë edhe nga bashkëshorti apo fëmija i tyre, sepse mund t'i tradhtonin për Partinë dhe t'i denonconin për mendime rebele.
Për dikë tjetër mund të tingëllojë çmenduri. Për mua, jo.
Kam jetuar në Shqipëri. Prindërit e mi më kanë treguar për periudhën e komunizmit, kur njerëzit denonconin edhe të afërmit e tyre për agjitacion e propagandë dhe i çonin drejt internimit, burgut apo edhe ekzekutimit nga Partia.
Di histori të njerëzve që e kanë jetuar vetë këtë. Njerëz që kanë tradhtuar familjen dhe gjakun e tyre për një Parti që i mbante vetë në kushte mjerimi.
Sot kemi ende të moshuar që besojnë se Enver Hoxha ka qenë udhëheqësi më i madh i të gjitha kohërave.
Njerëz që nuk kanë jetuar kurrë një jetë të lirë, nuk kanë udhëtuar për qejf, nuk kanë veshur çfarë kanë dashur, nuk kanë dëgjuar muzikën që kanë dashur dhe në periudha të caktuara as nuk kanë pasur mjaftueshëm për të ngrënë.
Të njëjtët njerëz mund të fiksohen sot pas liderëve aktualë, ndërkohë që pensionet e tyre janë qesharake, jetojnë me shumë vështirësi nga dita në ditë dhe shpesh varen nga fëmijët për para dhe ushqim.
Dhe prapë mendojnë se kjo është zgjedhja më e mirë.
E duan çizmen mbi fytyrë sepse është e vetmja gjë që kanë njohur. Sepse të kthehesh kundër çizmes që ke pranuar mbi fytyrë gjithë jetën do të thotë të kthehesh kundër vetes dhe të pranosh që ndoshta ke dështuar.
Ke dështuar të kesh një zë. Një karakter. Dhe morale që kanë qenë me të vërtetë të tuat. Ke dështuar veten.
Dhe ka kaluar shumë kohë për të bërë më diçka për këtë, ndaj për ta mbajtur shpirtin të qetë, mëson t'i thuash vetes se çizmja mbi fytyrë nuk është edhe aq e keqe.
Në fakt, mund edhe ta duash. Sepse është gjithçka që njeh.
Ne jemi produkti i këtyre brezave. Çizmja jonë është më e shkëlqyeshme, ndoshta e bërë nga material më i mirë, më tërheqëse për syrin, ndoshta edhe më e bukur, por prapë është shumë qartë një çizme.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm për varfërinë, mungesën e arsimit, mungesën e infrastrukturës, sistemin shëndetësor të korruptuar dhe jofunksional dhe listën e pafundme të problemeve.
Dhe prapë flas me njerëz dhe dëgjoj: "Po nëse ikin këta, kush do vijë?" "Kush do jetë më i mirë?" "Të paktën këtë e njohim."
Mund të mendosh se nuk i do njerëzit në pushtet, por pranimi mund të jetë një nga format më të larta të dashurisë.
E kupton që kjo është çizmja? Mund ta heqësh për një minutë nga sytë?← Back to Home